Shkëndija dominon kundër Pelisterit, regjistron edhe fitoren e tretë në kampionat (VIDEO)

Shkëndija ka regjistruar fitoren e parë si vendase në sezonin e ri dhe të tretën pas katër xhirove të para në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Pas triumfit 2:0 javën e shkuar në transfertën me Brerën, sot djemtë e Jeton Beqirit morën fitore identike, pa gol të pranuar dhe me dy realizime në pjesën e dytë.

I pari shënoi Klisman Cake në minutën e 58-të kur pasi priti një top të dëbuar jashtë zonës së rrezikut, i njëjti me të djathtën e tij lëshoi një predhë të vërtetë që nuk pati kundërpërgjigje nga ana e portierit mysafir.


Pas këtij goli, Pelisteri tentoi të përgjigjet, mirëpo Shkëndija ishte tepër autoritative në terren, madje në minutën e 75-të kjo skuadër shënoi edhe golin e dytë me anë të Vane Krstevskit, i cili me qetësinë e një ‘vrasësi serik’ realizoi për 2:0.

Këtu u mbyll historia e kësaj ndeshje dhe tre pikët shkuan në konton e Shkëndijës së Tetovës që me 10 pikër të grumbulluara kryeson renditjen tabelare. (infOSport.mk)

Leave a Reply