Pas dy fitoreve të njëpasnjëshme, Struga Trim Lum të dielën në arenën “Todor Proeski” në Shkup, pësoi disfatën e parë në sezonin e ri, edhe atë nga skuadra e Rabotniçkit, ndaj së cilës skuadër deri më tani nuk dinte për disfatë në ndeshjet në Shkup.
2:0 doli të jetë rezultati përfundimtarë në favor të “romantikëve”, me të dy golat e shënuar që në pjesën e parë, me autorë Gando (26’) dhe Alomeroviq (40’).
Struga Trim Lum gjatë pjesës së parë kishte më shumë raste shënimin, se sa në pjesën e dytë, ku edhe përkundër zëvendësimeve të shumta, rezultati nuk ndryshoi, ndërsa i vetmi që tentonte të bënte diçka më shumë gjatë 45 minutave të dyta, ishte Lanre Kehinde.
Sulmuesi nigerian në lojë u inkuadrua në fillimin e pjesës së dytë, njëjtë sikurse edhe Bekim Kamberi dhe Nikolla Vlajkoviç, i cili në ndeshjen e fundit këtu në Shkup kishte arritur të shënojë golin debutues me fanellën e Struga Trim Lum.
Skuadra kampione në fuqi mbetet në kuotën e 6 pikëve, duke lëshuar pozitën e parë që tashmë kryesohet nga tre skuadra me nga 7 pikë, Shkëndija, Gostivari dhe Rabotniçki. (infOSport.mk)