Shkëndija ka regjistruar edhe fitoren e dytë në udhëtim këtë edicon, këtë herë duke mundur ekipin e AP Brera midis Strumicës. “
Kuqezinjtë” shënuan fitore 2:0 falë golave të shënuar nga Fiton Ademi në pjesën e dytë, gola këto që tifo grupi kuqezi, “Ballistët” nuk patën mundësinë ti shohin, edhe pse kishin udhëtuar plotë 200 km për të përkrahur skuadrën e tyre të zemrës.
E gjithë kjo ndodhi për shkak se forcat e policisë nga SPB Strumicë, kërkuan largimin e flamurit kombëtar shqiptar nga tribuna ku ishin vendosur tifozët e Shkëndijës, “Ballistët”, të cilët nuk lejuan një gjë të tillë, duke marrë vendimin që të largohen pas vetëm 30-të minutave lojë.
Nga faqja zyrtare e Shkëndijës kanë bërë të ditur se largimi i flamurit shqiptar nuk kishte të bëjë me delegatin e ndeshjes, por e gjitha ishte në regji të Sektorit për Punë të Brendshme të Strumicës, që kishte urdhëruar tërheqjen e flamurit kombëtar nga tribuna ku ishin vendosur grupi i tifozëve, “Ballistët”.
“Protesta e kuqezinjëve nuk dha rezultat pasi delegati i ndeshjes nuk kërkoi në asnjë moment heqjen e flamurit dhe e gjitha ishte në regji të Sektorit për Punë të Brendshme të Strumicës”, thonë nga klubi tetovar.