Feronikeli në prag të sezonit të ri në elitën e futbollit kosovar, ka bërë dy goditje të mëdha, duke sjellë në rradhët e veta dy futbollistë me mjaft përvojë. Fjala është për dyshen e futbollistëve grek Vasilios Karagkounis dhe Nikolaos Ioannidis, që në të kaluarën kishin qenë pjesë e skuadrës gjigande të Olympiacos.
Ioannidis, madje kishte fituar edhe trofeun e Kupës me Oliympiacos, ndërsa një gjë të tillë kishte bërë edhe me PEC Zëolle në Holandë.
Ndryshe, Ioannidis te Feronikeli vjen nga skuadra qipriote e Ethnikos, ndërsa vlen të theksohet se i njëjti kishte luajtur gjithashtu edhe në Gjermani me Hansa Roshtok dhe Borussia Dortmund II, Diósgyőr në Hungari, Martimo në Portugali si dhe disa skuadra tjera greke.
Ioannidis është një sulmues tipik, që njihet për shtatgjatsinë e tij dhe aftësitë e tij në gjuajtjet me kokë. Ai si një talent i futbollit, kishte qenë pjesë e grupmoshavë U17, U18, U19 dhe U21 të Kombetarës se Greqisë.
Sa i përket Karagkounis, ai te Feronikeli vjen nga rradhët e Zhenis Astana, ndërsa më parë kishte luajtur edhe me Udinese U19, Olymipacos, Aris, Rexhina, AEL Limasol, Iraklis, Platanias, Ermis Aradippou, Torpedo Kutaisi në Gjeorgji dhe PS Kalamata, nga e cila skuadër shkurtin e vitit 2024 ishte transferuar në futbollin kazak.
30 vjeçari Karagkounis, që luan si mesfushor difenziv, luan mirë me topin dhe i njëjti pritet të jetë një organizator i lojës se “Niklit”.
Karagounis ishte edhe pjesë e grupmoshavë U17 dhe U19 të Kombetarës së Greqisë.
Nikolaos Ioannidis dhe Vasileios Karagkounis me Feronikelin kanë firmosur kontrata një vjeçare.