Demir Imeri pas plotë 7 viteve rikthehet në Maqedoni, nënshkruan me FC Shkupin

Demir Imeri pas plotë 7 viteve, ka vendosur të rikthehet në futbollin e Maqedonisë, aty ku së fundmi ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës. Imeri hapat e parë i kishte bërë te skuadra e vendlindjes së tij, Vëllazërimi, për të vijuar më pas karrierën profesionale te Rabotniçki, Shkëndija, Horizont Turnova dhe Renova.

Transferimi i tij i parë jashtë kufijve të Maqedonisë, ishte ai i verës së vitit 2017, kur nga Shkëndija u transferua te Kamza në futbollin shqiptarë, aty ku kishte luajtur edhe me Vllazninë e Shkodrës dhe Egnatian, ndërsa gjiithashtu kishte provuar veten të luaj edhe në Finlandë, Maltë, Ukrainë, Kazakistan dhe së fundmi Uzbekistan, duke mbrojtur ngjyrat e skuadrës së FC Andijon.

Siç mëson ekskluzivisht “infOSport.mk”, Imeri dhe FC Shkupi kanë arritur kontratë një vjeçare.

Imeri shihet si zëvendësim për të larguarin, Ali Adem, i cili ditë më parë u transferua në Shqipëri te Flamurtari i Vlorës.

28-vjeçari Imeri pritet të jetë një armë shtesë në mesfushën e “pëllumbave” nga Çairi, skuadër kjo që ka bërë shumë ndryshime në formacion, duke sjellë shumë lojtarë të huaj.

Mbetet të shihet nëse trajneri Ernest Gjoka, do të arrijë ta komponojë me kohë ekipin, që edhe këtë vit pritet të jetë ndër pretendentët kryesor për titull.

Imeri në Ligën e Parë të Maqedonisë numëron plotë 90 ndeshje, ashtu që përvoja e tij do të jetë e mirëseardhur për skuadrën nga Çairi, që gjatë ditës së nesërme do të zhvillojë edhe gjeneralen kundër Skopjes në prag të sezonit të ri, që starton të dielën e ardhshme (11 gusht).

Kujtojmë, FC Shkupi sezonin e ri e nis me ndeshjen si vendas kundër FC Voska Sport. (infOSport.mk)

Leave a Reply