Trajneri Qatip Osmani dha opinionin e tij pas eliminimit nga garat e Ligës së Konferencës të Struga Trim Lum. Edhe pse ambiciet ishin shumë më të larta, këtë herë kampionët e vendit garat i mbyllën që në turin e dytë eliminatorë.
Fitorja 2:1 në ndeshjen e parë në Ohër, doli të jetë e pamjaftueshme për skuadrën strugane, që ishte e pafat sonte në Jerevan, aty ku pësoi disfatë 3:1.
Golin e tretë skuadra e Pyunik e realizoi në minutën e 6-të, të kohës shtesë.
“Në pjesën e parë nuk ishim në nivelin e duhur. I lejuam shumë hapësira kundërshtarit për të na sulmuar para portës tonë, e ku si rezultat i morrëm edhe dy golat. Me anë të Ibraimit arritëm të rikthehemi në fundin e pjesës së parë. Pjesa e dytë mund të them se ishte e barabartë, tentuam disa herë për të rrezikuar portën kundërshtare, po pa sukses. Në fund ndodhi ajo që ndodhi, pranuam edhe golin e tretë, që na eliminoi nga garat europiane.” – tha trajneri Qatip Osmani.
Ndeshja e sotme kundër Pyunik, ishte e 30-ta jubilare për trajnerin Osmani në garat europiane.