Struga Trim Lum regjistroi fitore 2:1 në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminatorë të Ligës së Konferencës, duke thyer tabunë e fitoreve, kur janë në pyetje ndeshjet europiane të skuadrave nga vendi ynë përballë skuadrës së njohur kampione të Armenisë, Pyunik.
Fitorja edhe pse minimale, ka lënë të kënaqur trajnerin Qatip Osmani, i cili pas përfundimit të ndeshjes në Konferencën për Shtyp tha se e njëjta duhet vlerësuar dhe se duhet bërë çmos për ta shfrytëzuar në ndeshjen e kthimit.
“E filluam ndeshjen mbarë, shënuam në 15 minutat e para të takimit, që njëherit ishte edhe synimi ynë si skuadër, mirëpo më pas u vërejt një rënie në rradhët e skuadrës tonë, ndoshta edhe vetvetiu pas atij goli të shënuar, ashtu që mund të them se deri në fund të pjesës së parë, madje nuk e gjetëm veten si skuadër, ishim shumë konfuz, mirëpo në pjesën e dytë ndodhi dukshëm ndryshimi, e ndërruam sistemin e lojës, ndërsa mendoj se edhe zëvendësimet dhanë rezultat, përparësia është e vogël, asgjë nuk është kryer me këtë ndeshje, por prap se prap edhe pse kemi epërsi minimale duhet të vlerësohet dhe të shfrytëzojmë këtë përparësi që e kemi.” – u shpreh trajneri Qatip Osmani, i cili në bazë të rasteve që krijuam, sidomos në pjesën e dytë, thotë se epërsia mund të ishte edhe më e thellë në favor të skuadrës strugane.
“Në bazë të asaj që treguam në pjesën e dytë mendoj se meritonim një rezultat ndoshta edhe më të thellë, pas rezultatit 2:1 patëm disa raste, por fati nuk ishte në anën tonë, edhe pse rezultati duheshe të ishte më i thellë.” – përfundoi Osmani.