Struga Trim Lum bëhet ekipi i parë nga Maqedonia që mundi 16 herë kampionët e Armenisë, Pyunik

Fitore minimale 2:1, por plotësisht e merituar e Struga Trim Lum kundër Pyunik, ndeshje kjo e vlefshme për turin e dytë eliminatorë të Ligës së Konferencës. Nga një gol në secilën pjesë për skuadrën strugane, e ku duhet veçuar ai i dyti i Stefan Spirovskit gjatë pjesës së dytë, në të cilin kampionët e vendit tonë kishin dominim të plotë, mirëpo që fati nuk ishte në anën e tyre, pasi edhe përkundër rasteve të shumta për gol, nuk arritën të krijojnë ndonjë epërsi më serioze para ndeshjes së kthimit në Jerevan.

Golin e parë për Struga Trim Lum në këtë ndeshje e realizoi golashënuesi i tyre më i mirë, Besart Ibraimi, i cili doli të jetë i saktë nga pika e bardhë, e përfituar nga Lanre Kehinde që në minutën e 8-të.

Mysafirët nga Armenia u kundërpërgjigjën në të njëjtën mënyrë në minutën e 23-të, kur nga pika  e bardhë me anë të brazilianit Vilella, barazuan shifrat në 1:1.

Ishte ky rezultati i pjesës së parë, që nuk është se dhuroi edhe ndonjë futboll të bukur, apo edhe raste të shumta për gol, që erdhën vetëm në pjesën e dytë, me kampionët e vendit tonë që kishin fjalën kryesore në fushën e blertë.

Përkundër rasteve të shumta, që erdhën edhe përmes aksioneve të rrjedhshme, goli i dytë i Struga Trim Lum, erdhi me një goditje nga jashtë zonës, e që ishte kryevepër e Stefan Spirovskit. Ish futbollisti i përfaqësueses së Maqedonisë, që këtë verë përforcoi rradhët e skuadrës së Struga Trim Lum, shënoi një eurogol të vertetë në minutën e 73-të, kur lëshoi një bombë nga një distancë prej më shumë se 30 metrash.

Spirovski kishte edhe tentativën e fundit të takimit në minutën e 94-të, kur mjaft mirë realizoi një skemë nga goditja e këndit, me Ibraimin, mirëpo goditja e tij nga brendia e zonës, këtë herë përfundoi vetëm në duart e portierit mysafir, Avagyan.

Në fund fitore 2:1 për ekipin strugan, që shpresojmë të mjaftojë për në ndeshjen e kthimit në Jerevan, që në program është me datë 30 korrik. (infOSport.mk)

Leave a Reply