Disfatë 4:2 në ndeshjen e parë të turit të parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve në transfertë kundër kampionëve sllovak të Sllovan Bratisllava, ndoshta nuk ishte pasqyra më e mirë, nga gjithë ajo që ndodhi në fushën e blertë, aty ku në disa momente Struga Trim Lum ishte madje edhe kundërshtarë më i mirë.
Një gjë e tillë mund të thuhet sidomos për pjesën e dytë, kur edhe struganët arritën të barazojnë shifrat, pavarësisht disavantazhit 2:0 gjatë 45 minutave të para.
Megjithatë disa pakujdesi në mbrojtje, bënë që në fund skuadra kampione e vendit tonë të pësoj disfatë, mirëpo që kapiteni Shabani, është i bindur se në Ohër skuadra e tij do të paraqitet edhe më mirë.
“Na vjen keq për këtë disfatë, pasi vërtetë treguam një lojë të mirë, sidomos në pjesën e dytë, kur edhe e kthyem rezultatin, dhe kur menduam se do të arrijmë një barazim, ndoshta edhe siç theksoi edhe trajneri, disa momente pakujdesie i pranuam dy gola. Megjithatë mendoj se nga kjo kemi mësuar shumë dhe besoj se në ndeshjen e kthimit do të bëjmë edhe më mirë” – u shpreh kapiteni Bunjamin Shabani, i cili sonte zhvilloi ndeshjen e tij të 11-të me fanellën e Struga Trim Lum në kuadër të ndeshjeve europiane dhe të tretën vetëm në kuadër të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve.