Hogan Ukpa pret një ndeshje të bukur nesër mbrëma në arenën “Tehelné pole”, aty ku pret të ketë shumë tifoz, e që realisht do e zbukurojnë edhe vetë takimin. Stadiumi në Bratisllavë ka një kapacitet prej 25 mijë ulëseve, ndërsa paralajmërimet thonë se do ketë mbi 10 mijë tifoz, duke mos përjashtuar këtu edhe tifoz shqiptarë që do jenë në përkrahje të skuadrës së Struga Trim Lum.
“Nga kjo ndeshje pres një atmosferë të mirë, një ndeshje të mirë me plotë shikues. Siç thatë edhe ju vetë, luajmë në një stadium dhe fushë të re, dhe presim që fusha e re të jetë e mirë për të dyja skuadrat që të zhvillojmë një ndeshje të bukur.” – u shpreh Hogan Ukpa.
Mesfushori nigerian ishte pjesë e ekipit strugan edhe edicionin e kaluar, kur kampionët e vendit kishin arritur deri në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës. Mirëpo kur tashmë skuadra ka bërë disa lëvizje të bujshme në merkato, Ukpa thotë se pritshmëritë e këtij edicioni janë edhe më të mëdha.
“Ne besojmë se kemi punuar fortë, jo vetëm gjatë fazës përgatitore, por edhe nga sezoni i kaluar, ku arritëm deri në fazën “play-off” në garat europiane, dhe presim që në bazë të fazës përgatitore që zhvilluam dhe nëse i bashkojmë forcat që të gjithë bashkë, ne besojmë se do të arrijmë suksese edhe më të mëdha se sezoni i kaluar. Pra pritshmëritë janë edhe më të mëdha se në sezonin e kaluar.” – deklaroi Ukpa, i cili pret që të debutojë në një ndeshje eliminatore të Ligës së Kampionëve.
Ai edicionin e kaluar zhvilloi 5 ndeshje në Europë, mirëpo që të gjitha ishin në kuadër të eliminatoreve në kuadër të Ligës së Konferencës.