Struga Trim Lum mëngjesin e sotëm udhëton drejt Bratisllavës

Struga Trim Lum mëngjesin e sotëm do të niset drejt Bratisllavës, aty ku të mërkurën (11 korrik) do të zhvillojë ndeshjen e parë kundër Sllovan Bratisllavës, e vlefshme për turin e parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve Europian.

Ekspedita strugane do të niset në ora 10 nga aeroporti i Ohrit drejt Vienës, e më pas me autobus do të udhëtojë drejt Bratisllavës.

Akomodimi në hotel është paraparë saktë në ora 12:00, ndërsa në mbrëmje, duke filluar nga ora 19:00, në stadiumin “Tehelné pole” në Bratisllavë, ekipi i udhëhequr nga Qatip Osmani do të zhvillojë edhe stërvitjen zyrtare.

Po në të njëjtin stadium dhe në të njëjtën kohë (19:00h), të mërkurën do të zhvillohet ndeshja midis kampionëve sllovak dhe atyre të vendit tonë.

Struga Trim Lum në Maqedoni rikthehet të enjten, për të filluar menjëherë me stërvitje për ndeshjen e kthimit që në program është me datë 17 korrik.

Ndeshja midis Struga Trim Lum dhe Sllovan Bratisllava do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Ohër, me fillim në ora 17:00. (infOSport.mk)

Leave a Reply