Altin Aliji, pa dyshim se është një ndër talentët më të mëdhenj në futbollin vendor. 17-vjeçari sezonin 2023/24 e mbylli me Makedonija GJ.P, duke mbajtur në supe plotë 30 ndeshje, ku regjistroi gjithashtu edhe 2 gola dhe 2 asistime.
Këto shifra, por mbi të gjitha duke pasur parasysh potencialin dhe kualitetet që posedon ky futbollistë, kanë bërë që në adresë të tij të vijnë shumë oferta nga brenda dhe jashtë kufijve të Maqedonisë.
AP Brera dhe Struga Trim Lum, janë skuadrat vendore që kanë shprehur dëshirën për të marrë këtë super talent në rradhët e tyre, megjithatë dëshira e vetë Altin Alijit, siç mëson “infOSport.mk”, është që të luaj jashtë Maqedonisë.
Falë 17-vjeçarit Aliji, Makedonija GJ.P kualifikohet në gjysmëfinale (VIDEO)
Ai mendon se pikërisht tani është momenti që ai të rritet edhe më shumë si futbollistë, mirëpo gjithnjë duke bërë zgjedhjen e duhur, duke zgjedhur një skuadër ku do të mund të luante dhe vazhdimisht të zhvillohej si futbollistë.
Dhe ofertat nga jashtë nuk është se mungojnë, pasi burime të afërta me “infOSport.mk”, bëjnë me dije se skuadra nga Hungaria, Sllovakia, Turqia, madje edhe Italia, janë vënë në gjurmët e talentit shkupjan, i cili së fundmi kishte luajtur dy ndeshje me Kombëtaren U19 të Shqipërisë.
Aliji bëri dy paraqitje shumë të mira përballë Kosovës, ku regjistroi edhe një asist, ndërsa i njëjti shumë shpejtë pritet të pajiset me pasaportën shqiptare dhe njëkohësisht të provoj veten edhe me grupmoshat U21 të Kombëtares së Shqipërisë, që beson shumë tek shkupjani, i cili në elitën e futbollit tonë vendor kishte debutuar ende pa mbushur të 17-tat.
Kujtojmë, Aliji hapat e parë i kishte bërë të KF Skupi, që më pas të ju bashkohet gjeneratave të reja të Vardarit, derisa nga shtatori i vitit 2022, i njëjti kishte kaluar te ekipi i të rinjëve të Makedonija GJ.P, për të depërtuar më pas shumë shpejtë edhe në ekipin e parë, që i hapi dyert drejt një karrierë të bujshme të këtij talenti, që besojmë fuqishëm se do të arrijë majat e futbollit. (infOSport.mk)