Shkëndija lëshon bombën, siguron shërbimet e sulmuesit të Ümraniyespor!

Shkëndija e Tetovës ka arritur marrëveshje me sulmuesin e Ümraniyespor, Daouda Bamba. Bëhet fjalë për një sulmues 29-vjeçar me origjinë nga Bregu i Fildishtë, por që posedon edhe pasaportë europiane, atë të Norvegjisë.

Pasi kaloi me sukses ekzaminimet mjekësore, Bamba ka firmosur kontratë 2 vjeçare me Shkëndijën.

Sezonin e fundit me Ümraniyespor në Ligën e Dytë turke zhvilloi vetëm 3 ndeshje, duke mos arritur të tregoj potencialin e tij, edhe pse kishte ardhur si një transferim i bujshëm nga rradhët e skuadrës së njohur bullgare të CSKA Sofjes.

Nuk është se edhe me bullgarët kishte luajtur mirë, pasi i njëjti në 14 ndeshje kishte realizuar vetëm 1 gol.

Më së miri kishte kaluar në Norvegji, aty ku mes elitës së futbollit dhe ligës së dytë numëron gjithsej 78 gola.

Pikërisht golat e tij me Kristiansund, të cilën skuadër në vitin 2016-të e ndihmoi të ngjitet në elitën e futbollit norvegjez, mirëpo më pas edhe me fanellën e Brann, i mundësuan atij që verën e vitit 2021 të transferohet në elitën e futbollit turk, duke nënshkruar me skuadrën e Altay SK.

Bamba me fanellën e Altay SK kishte bërë një debutim ëndërrash, duke realizuar dy gola në ndeshjen e parë kundër Kajserispor. Ai falë formës së tij të mirë shkëlqeu me këtë skuadër, mirëpo vetëm në 16 xhirot e para, kur kishte shënuar gjithsej 7 gola, ndërkohë më pas humbi statusin e futbollistit titullarë, për tu rikthyer sërish në fund të kampionatit, mirëpo duke mos arritur dot ta ndihmojë skuadrën e tij, që në fund humbi statusin e skuadrës elitare.

Kjo bëri që Bamba të largohet nga Altay SK, ndërkohë destinacioni i tij i rradhës ishte Bullgaria dhe skuadra e CSKA Sofjes, aty ku sërish nuk arriti të gjejë veten, njëjtë sikurse edhe së fundmi te Ümraniyespor, për të cilën skuadër gjatë një viti në terrenin e gjelbër kishte kaluar vetëm 182 minuta.

Shifrat e fundit vërtetë lënë për tu dëshiruar, mirëpo të gjithë besojmë se Bamba me fanellën e Shkëndijës do të rikthehet ai i vjetri dhe se do ti jap ngjyrë dhe shkëlqim kampionatit tonë e në veçanti skuadrës tetovare, që si gjithnjë lufton për titullin kampion.

Kujtojmë, deri më tani drejtuesit e Shkëndijës zyrtarisht kanë angazhuar edhe mbrojtësin e krahut të djathtë, Aleksandar Trumçin, ndërkohë informacione të besueshme për “infOSport.mk”, bëjnë me dije se kjo skuadër ka arritur akordin edhe me nigerianin e Gostivarit, Adamu Ibrahim Alhassan. (infOSport.mk)

Leave a Reply