Asgjë nga rikthimi i Erald Çinarit në Superligën shqiptare. Pas përfundimit të aventurës me Shkëndijën, Çinari pritej të rikthehej në vendlindjen e tij, ku kishte një interesim të jashtëzakonshëm, megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi shkodrani vendosi të pranojë ofertën e armenëve të FC Noah, shkruan “infOSport.mk”.
27-vjeçari ka arritur marrëveshjen me ekipin e Noah që luan në elitën e futbollit armen dhe shumë shpejt pritet zyrtarimi i këtij transferimi.
FC Noah edicionin e fundit e mbylli në vendin e dytë në kampionatin armen, duke siguruar kështu një vend për në garat e Ligës së Konferencës, aty ku do të përballet pikërisht me Shkëndijën e Tetovës.
Kështu, Çinari me shumë gjasa ndeshjen e tij të parë zyrtare me fanellën e FC Noah mund ta ketë pikërisht kundër ish skuadrës së tij, Shkëndijës, për të cilën skuadër brenda 18 muajve të kaluara regjistroi 48 ndeshje, 13 gola dhe 16 asistime.
FC Noah, do të jetë skuadra e tretë jashtë trojeve të Shqipërisë për Erald Çinarin, i cili në vendlindjen e tij ka luajtur vetëm me Vllazninë e Shkodrës dhe Partizanin e Tiranës. (infOSport.mk)