Belgu Miçu Batshuai, ka bërë një lëvizje shumë të zjarrtë, duke ngritur në këmbë gjithë Stambollin. Ish sulmuesi i Çelzit nuk pranoi të vazhdojë kontratën me Fenerbahçen, duke zgjedhur Galatasarajin, rivalin e madh të tashmë ish skuadrës së tij.
Mirëpo si duket nuk e ka menduar mirë këtë lëvizje, pasi edhe pse ende nuk është prezantuar zyrtarisht nga drejtuesit e Galatasarajit, ai është bombarduar nga mesazhet e shumta të tifozëve të Fenerbahçes, që madje e kishin kërcënuar edhe me vdekje.
Kujtojmë, Batshuai për herë të parë në Turqi kishte luajtur me Beshiktashin, dhe mund të thuhet se është futbollisti i vetëm i jashtëm kaq i guximshëm, për të ndërruar fanellat e tre skuadrave të mëdha rivale nga Stambolli.
Batshuai pjesë e Fenerbahçes ishte nga shtatori i vitit 2022. Ai brenda kësaj periudhe me skuadrën nga “Shukru Saraçogllu” kishte regjistruar 75 paraqitje, 44 gola dhe 5 asistime, duke lënë gjurmë me këtë skuadër.
Megjithatë edhe përkundër këtyre shifrave impresionuese dhe dëshirës së drejtuesve të Fenerbahçes për të vazhduar bashkëpunimin, Batshuai vendosi të largohet, duke tradhëtuar sërish.