Shkëndija tashmë disa ditë ka fillluar përgatitjet në prag të sezonit të ri, ku do të startojë me garat në Ligën e Konferencës, aty ku tashmë ka mësuar edhe kundërshtarin e raundit të parë.
Megjithatë, shumë qetësi në taborin “kuqezi”, kur janë në pyetje përforcimet e reja. Deri më tani, zyrtarisht ekipit tetovar i është bashkuar vetëm Aleksandar Trumçi, që erdhi nga skuadra shqiptare e Bylisit, derisa informacione të besueshme pranë “infOSport.mk”, bëjnë me dije se Shkëndija ka arritur akordin edhe me nigerianin 20-vjeçar, Adamu Ibrahim Alhassan.
Bëhet fjalë për një mesfushorë difenziv, që do zinte vendin e lënë bosh pas largimit të Bruno Ditës.
Ndryshe, Alhassan e njeh mirë kampionatin tonë, pasi edicionin e kaluar luajti me fanellën e Gostivarit, nga e cila skuadër largimin e tij e ka paralajmëruar edhe sulmuesi koruplent, Lanre Kehinde.
Ndërkohë nga KF Gostivari paralajmërojnë transferimin bombë të yllit portugez, Luis Nani, ndërsa nuk përjashtohet gjithashtu edhe angazhimi i Mario Balotellit, dy futbollistë këta që së fundmi ishin pjesë e skuadrës turke të Adana Demirspor, me të cilët drejtuesit e skuadrës nga Pollogu kanë raporte shumë të mira.
Transferimi i kësaj dyshe, do të ishte një super marketing për Ligën e Parë të Maqedonisë, por ndoshta edhe një shtytje për drejtuesit e Shkëndijës për të menduar rreth përforcimit të skuadrës së tyre me emra të mëdhenj, që do i ndihmonin ata si në garat europiane, po ashtu edhe në kampionat, aty ku tashmë “kuqezinjtë” për tre vite me rradhë nuk po arrijnë të shijojnë trofeun e titullit kampion. (infOSport.mk)