Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës për ndeshjet e raundit të parë të Ligës së Kampionëve, bëri që përveç Struga Trim Lum, kundërshtarët e tyre ti mësojnë edhe tre skuadrat tjera shqiptare kampione, si Egnatia në Shqipëri, Ballkani në Kosovë dhe Deçiç në Mal të Zi.
Skuadra kampione e Shqipërisë, Egnatia në raundin e parë “peshkoi” ekipin kampion të Bosnje e Hercegovinës, FK Borac Banja Luka. Një ekip i kalueshëm në letër, teksa sfidën e pare Arbin Zejnullai me shokë do ta zhvillojnë në transfertë.
Ballkani, një ndër skuadrat më të mira shqiptare në vitet e fundit, u shortua me kampionët e Andorës, UE Santa Coloma. Skuadra nga Suhareka ndeshjen e parë do ta zhvillojë në terren vendas, derisa atë kthyese në transfertë.
Struga Trim Lum doli të jetë e pafat në këtë short, pasi u vu përballë skuadrës së njohur të Slovan Bratislavas, me duelin e parë që do ta luajë në transfertë.
Edhe kampionët e rinj të Malit të Zi, FK Deçiç, do ta nisin në transfertë, teksa në debutimin e tyre do të sfidojnë kampionët e Uellsit, The Neës Saints, skuadër kjo që në të kaluarën kishte luajtur edhe kundër Shkëndijës së Tetovës.
Ndeshjet e para të raundit të parë të Ligës së Kampionëve do të luhen me datë 9 dhe 10 korrik, ndërsa ato kthyese do të zhvillohen pas një jave. (infOSport.mk)