Malisheva edicionin që lamë pas, shkroi histori në elitën e futbollit kosovar, duke u renditur si e katërta në renditje. Ishte ky plasmani i tyre më i mirë ndonjëherë, e që në fund atyre u siguroi një vend për në garat europiane, kjo falë edhe fitores së Ballkanit në finalen e Kupës së Kosovës kundër Prishtinës.
Pjesë e kësaj skuadre ishin edhe tre futbollistët nga Maqedonia, Besnik Ferati, Esmin Liçina dhe portieri, Hadis Velii.
Ky i fundit kontribuoi me 10 ndeshje, duke mbajtur rrjetën të paprekur në dy prej tyre, Liçina luajti në 13 ndeshje, derisa shkupjani, Besnik Ferati, ishte një ndër futbollistët më standard, të kësaj skuadre, duke kaluar në fushën e blertë plotë 1533 minuta.
Ferati, doli të jetë një blerje e qëlluar nga ana e drejtuesve të Malishevës, duke i besuar atij edhe një vit tjetër, ku për herë të parë do të garojnë edhe në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Konferencës.
Edhe përkundër problemeve shëndetësore që pati dhe momentit të hidhur kur FC Shkupi vendosi ta huazojë atë te Pobeda, Besnik Ferati nuk u dorëzua asnjëherë. Me shumë vetëbesim, por edhe me punë të palodhshme ai sërish u rikthye në formën e vjetër, kur si një djalosh i ri vetëm 18-vjeç, u kishte shkelur syrin drejtuesve të Partizanit të Tiranës, për ta blerë kartonin e tij.
Pikërisht në Superligën shqiptare, ai tregoi potencialin dhe vlerat e tij, ndërsa tashmë si një futbollistë më i pjekur, janarin e vitit 2021 vendosi të rikthehej në Maqedoni, duke nënshkruar me AP Brera nga Strumica.
Vetëm pas një viti, ai u rikthye në klubin amë, FC Shkupin, mirëpo fati nuk ishte me të kësaj rradhe, ashtu që vetëm pas disa muajve u huazua te skuadra e Pobedës nga Prilepi, nga e cila skuadër verën e vitit të kaluar u transferua në elitën e futbollit kosovar.
Ishte kjo hera e parë, që Ferati do të luante në këtë kampionat, mirëpo shumë shpejtë i njëjti përfitoi zemrat e tifozëve të Malishevës, me të cilët këtë verë do të shijojnë edhe futbollin europian.
Një histori e bukur kjo për shkupjanin, i cili falë dashurisë së madhe që ka për futbollin është këtu ku është.
Kujtojmë, Besnik Ferati llogaritej si një ndër talentët më të mëdhenj në futbollin vendor, teksa i njëjti për vite me rradhë ishte pjesë e ekipeve zinxhir të përfaqësueses së Maqedonisë, duke arritur të luaj deri te ajo U21, ndërsa vlen të theksohet se si 17-vjeçar kishte qenë në prova edhe te gjigandët turq të Fenerbahçes.