Dy skuadrat e njohura kosovare, Prishtina dhe Drita e Gjilanit janë vënë në gjurmët e sulmuesit të Struga Trim Lum, Senad Jaroviç, mëson “infOSport.mk”.
Jaroviç ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të këtyre dy skuadrave falë golave të tij sezonin e kaluar me petkun e GJilanit, te e cila skuadër luajti në formë huazimi.
Pas këtij interesimi, tashmë gjithçka në duar kanë drejtuesit e skuadrës kampione të Struga Trim Lum, që pritet të vendosin për të ardhmen e sulmuesit boshnjak, me pasaportë gjermane.
Burime të afërta me “infOSport.mk”, bëjnë me dije se një huazim i rradhës i Jaroviç, do të ndodhte vetëm në rast se Struga Trim Lum do të arrinte marrëveshje me ndonjë sulmues të ri. Për momentin ata janë në bisedime e sipër me drejtuesit e Voska Sport, për huazimin e Aleksa Marushiq, ashtu që nëse do të ndodhte një gjë e tillë, atëherë me shumë gjasa Jaroviç mund të luante edhe një edicion tjetër në Kosovë.
Mbetet të shihet se çfarë realisht do të ndodh me Jaroviç, i cili sezonin që lamë me Gjilanin në Kosovë në 18 ndeshje regjistroi 11 gola dhe 4 asistime.
Pikërisht këto shifra statistikore, bëjnë që të lakmojnë edhe nga tabori i kampionëve, që nuk përjashtojnë mundësinë për ti dhënë edhe një shans tjetër sulmuesit bohsnjako-gjerman, i cili në edicionin e tij të parë me Struga Trim Lum kishte regjistruar gjithsej 19 ndeshje, 12 prej të cilëve në Ligën e Parë, aty ku reghistroi edhe 2 gola dhe 1 asist. (infOSport.mk)