Shkëndija tashmë disa ditë ka nisur stërvitjet për sezonin e ri, ndërsa pjesë e tyre janë edhe dy vëllezërit, prodhim “kuqezi”, Florent dhe Reshat Ramadani. Që të dy kanë kontratë me Shkëndijën deri me datë 30 qershor, ndërsa siç mëson “infOSport.mk”, në adresë të tyre tashmë kanë arritur disa oferta, si nga vendi, ashtu edhe nga jashtë.
Florenti është një futbollistë i dalë nga shkolla e Shkëndijës, dhe që i ka qëndruar besnik fanellës “kuqezi” që nga viti 2019-të, me një përjashtim të vogël 4 muajsh, kur si 19-vjeçar, për të marrë përvojën e duhur, ishte huazuar te Drita e Bogovinës.
Florenti me Shkëndijën numëron plotë 88 ndeshje, 8 gola dhe 6 asistime.
Ndryshe qëndron puna me vëllain e vogël, Reshatin, i cili te klubi amë po luan në formë huazimi nga rradhët e Dinamo Kiev. I njëjti me gjigandët ukrainas ka kontratë deri me 30 qershor të vitit 2028-të, ndërsa me 30 qershor të këtij muaji i përfundon huazimi te Shkëndija, me të cilën skuadër në vitin 2024 regjistroi 13 paraqitje dhe 2 asistime.
Reshat Ramadani luan në rolin e mbrojtësit, por edhe mesfushorit difenziv, aty ku Shkëndija vuan për lojtarë, kjo pasi gjatë ditës së sotme ata ndanë rrugët me një lojtar të tillë, Bruno Dita.
Kur jemi tek largimet, vlen të theksohet se pjesë e Shkëndijës në sezonin e ri nuk do të jenë edhe Erald Çinari dhe Bashkim Velija.
Por vallë çfarë do të ndodh me vëllezërit Ramadani, do mbeten te Shkëndija ose pjesë e ndonjë klubi tjetër, mbetet të kuptojmë ditëve në vijim. (infOSport.mk)