Erald Çinari nuk do të mbroj më ngjyrat e Shkëndijës së Tetovës. Është vetë futbollisti shkodran që ka zyrtarizuar largimin e tij përmes një postim në rrjetet sociale.
“Faleminderit Shkëndija”, shkruan ai shkurtimisht duke konfirmuar zërat që qarkullonin prej ditësh.
Çinari skuadrës së Shkëndijës iu bashkua janarin e vitit 2023, kur erdhi nga ekipi turk i Samsunspor. Ai brenda kësaj periudhe me fanellën “kuqezi” zhvilloi gjithsej 48 ndeshje, duke regjistruar 13 gola dhe 16 asistime.
Kështu, e ardhmja e Çinarit pritet me mjaft interes teksa në Superligën shqiptare janë mëse të gatshëm t’i hapin dyert për një rikthim të mundshëm të tij.
Vllaznia është klubi më i interesuar për ta rikthyer teksa negociatat kanë nisur prej kohësh.
Kujtojmë, gjatë ditës së sotme, Shkëndija u përshëndet edhe me Bashkim Velijën.