Trajneri i Guangju në Korenë e Jugut, Li Jung Ho e ka aktivizuar vetëm 8 minuta këtë kampionat Jasir Asanin, ndërkohë para gazetarëve ai është shprehur se Jasiri ka shtuar peshë:
“Ai ka shtuar shumë peshë dhe s’është mjaftueshëm i mirë në stërvitje. Edhe nëse humbim 10 ndeshje radhazi, Asani përsëri nuk do të luajë me performancën që jep në stërvitje, për sa kohë që unë të jem ende trajner”.
Trajneri, duke folur për gazetarët, ka vënë në pikëpyetje vendin e tij në Kombëtaren shqiptare.
“Ai s’luan sepse performanca aktuale është e dobët. Gabriel ka luajtur mirë. Nuk e di pse është përzgjedhur Asani nga Kombëtarja shqiptare. Trajneri i Kombëtares shqiptare duhet të mendojë për zgjedhjen e tij”, u shpreh pak kohë më parë trajneri i Guangjusë.
Krisja mes Asanit dhe klubit koreano-jugor ka nisur edhe më herët, saktësisht në janar, kur sulmuesi i krahut kërkonte që të rikthehej në futbollin europian, por pretendimet e ekipit aktual u rritën.
28-vjeçari është në kontratë deri në dhjetor të këtij viti me Guangjunë.