Fitorja e djeshme ndaj Shkëndijës doli të jetë shumë e ëmbël, pasi edhe zyrtarisht Struga Trim Lum siguroi titullin kampion, të dytin me rradhë në historinë më të lavdishme të klubit që u themelua vetëm në vitin 2015-të. Ndeshja e djeshme ishte e dyta për Meriton Gegën në postin e kryetrajnerit dhe fitorja e dytë, që do e mbajë mend gjatë kohë, pasi i njëjti arriti të shpallet kampion me skuadrën nga qyteti i vendlindjes së tij.
Megjithatë, Gega nuk harron të përmend këtu edhe trajnerin Shpëtim Duro, duke I’a adresuar këtë sukses edhe atij, pasi që të dy bashkë e udhëhoqën skuadrën që nga fillimi i kampionatit.
“Fillimisht dua ti falënderojë lojtarët për ndeshjen që e bënë në fushën e blertë, kanë qenë perfekt në detyrat që iu kemi dhënë, kjo nuk është merita ime vetëm për këto dy ndeshje, nuk duhet harruar këtu edhe profesor Shpëtim Duron, që ka qenë gjatë gjithë kohës me neve, pra të themi se merita ka edhe ai, normalisht edhe lojtarët dhe neve si staf kemi punuar dhe në fund kemi arritur qëllimin që të bëhemi kampion.”
Duartrokitjet e tifozëve tetovar…
“Kjo don të thotë se niveli i gjithë publikut ka shkuar më lartë, unë dua ti falënderojë nga zemra për duartrokitjet në fund të ndeshjes, siç bënë tifozët e Shkupit, e njëjta ndodhi edhe këtu. Besoj se e njëjta do ti gjejë edhe në Strugë të gjitha skuadrat shqiptare që janë bashkë, të vazhdojmë këtë traditë më që ka nisur, kush është më i miri të duartrokitet dhe të vazhdojmë vetëm para”.
Golat e shënuar në momentin e duhur…
“Mund të them se ishte një lojë e mirë nga të dyja anët, mirëpo falë golave të shënuar nga Besarti dhe Marjani, i’a dolëm që të arrijmë qëllimin për të shënuar një gol dhe më pastaj të mundemi ta koordinojmë gjithë ndeshjen, mirëpo ndodhi edhe goli i dytë dhe pastaj e kishim më të lehtë për të vijuar ndeshjen, edhe pse realisht nuk e pritëm që do të vie që në fazën e hershme. Kishim ndjenja që ekipi i Shkëndijës që nga fillimi do të vërsulet për të barazuar rezultatin dhe se neve do të kemi më shumë hapësira për të shënuar golin e dytë, edhe pse realisht kishim mundësi edhe për një gol tjetër, pas atyre rasteve që krijuam përmes kundërsulmeve.”
Besonit tek fitorja…
“Normalisht që kam besuar, kisha shumë besim tek lojtarët dhe pikërisht ata janë më meritorët për këtë fitore të madhe”.