Struga Trim Lum dhe Duro ndajnë rrugët, këto janë statistikat e strategut nga Tirana

Pas një serie të rezultateve të dobëta, kur pikët ishin më se të domosdoshme në garën për titullin e kampionit, Bordi drejtues i FC Struga Trim Lum dhe trajneri Shpëtim Duro, me marrëveshje të dyanshme vendosën të ndajnë rrugët.

Vetëm një fitore në 5 ndeshjet e fundit, ishin arsyeja kryesore e kësaj ndarjeje të parakohshme, mirëpo që realisht duheshe të ndodh. Struga Trim Lum nga një pozitë shumë më të favorshme se skuadrat rivale, FC Shkupi dhe Shkëndija, erdhi në një situatë të palakmueshme, duke bërë që për titullin të vendos vetëm në xhirot e fundit, dhe jo sikurse edicionin e kaluar, kur një gjë të tillë kishte bërë tre xhiro më parë.

Mbi të gjitha, dy disfatat e fundit kundër Sileksit dhe Tikveshit me rezultatin identik (2:3) erdhën edhe përkundër avantazhit që kishte skuadra strugane ndaj tyre.

Shpëtim Duro postin e trajnerit te Struga Trim Lum e morri me 1 mars të vitit të kaluar, duke zëvendësuar Srgjan Zaharievskin.

Ai skuadrën strugane brenda këtyre 14 muajve e drejtoi në plotë 52 ndeshje zyrtare mes kampionatit, Kupës së Maqedonisë dhe garave europiane, aty ku Struga Trim Lum arriti të luaj deri në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës.

31 fitore, 7 barazime dhe 14 disfata, përfshirë këtu edhe dy disfatat e pësuara përmes ruletit të penaltive në finalen e edicionit të kaluar kundër Makedonija Gj.P dhe ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës të këtij edicioni kundër Voska Sport, janë statistikat e Duros, i cili gjatë këtij edicioni që e udhëhoqi skuadrën strugane që nga fillimi i edicionit, në 30 ndeshje kampionale regjistroi 18 fitore, 4 barazime dhe 8 disfata.

Siç njoftojnë nga tabori i Struga Trim Lum, brenda pak ditëve do të vendosin për pasuesin e Shpëtim Duros. “infOSport.mk” mëson se drejtuesit e skuadrës strugane janë në bisedime e sipër me 3 emra të njohur, që pritet të marrin timonin e kampionëve të vendit në fuqi në tre ndeshjet vendimtare, ku sërish Struga Trim Lum do të tentojë titullin e kampionit. (infOSport.mk)

Leave a Reply