Juventus Serava është vetëm një hap larg rikthimit në elitën e futsalit vendor, aty ku edhe realisht kjo skuadër e ka vëndin.
Në ndeshjen vendimtare të sezonit, të besuarit e trajnerit, Gafur Hasani, mundën Korabin me rezultatin 9:5, duke iu hakmarrë kësaj skuadre për disfatën në ndeshjen e parë në Dibër, e mbi të gjitha duke krijuar një epërsi prej 5 pikësh ndaj këtij rivali direkt.
Kur kanë mbegtur edhe 3 xhiro deri në mbyllje të sezonit aktual, Juventus Serava numëron 52 pikë, derisa Korabi mbetet në kuotën e 47 pikëve, duke u renditur në pozitën e tretë.
Kujtojmë, dy pozitat e para sigurojnë ligën e parë, aty ku me shumë gjasa do të rikthehet të luaj edhe KMF Proekt, që renditet në pozitën e parë me 57 pikë dhe një ndeshje më pak.
Fitorja e sotme, ka kënaqur edhe trajnerin e “bardhezinjëve” nga Serava, Gafur Hasani, i cili enkas për “infOSport.mk”, menjëherë pas përfundimit të takimit u shpreh: “Jam tepër i lumtur që në ndeshje vendimtare djemtë tanë, launët tanë ‘bardhezi’ dëshmuan se kanë shumë kualitet, pavarësisht mungesës së përkrahjes financiare. Jam i sigurtë se me një stimulim real financiar, këta djelmosha mund të bëjnë edhe më shumë. Një gjë të tillë e dëshmuan edhe sonte në ndeshjen vendimtare të sezonit, duke treguar klasin e tyre dhe dashurinë që kanë për këtë klub, për këta ngjyra ‘bardhezi’, që besoj se i kanë munguar Ligës së Parë. Megjithatë, besojmë se jo edhe për gjatë kohë, pasi neve po rikthehemi aty ku edhe e kemi vendin, në mesin e më të mirëve”.
Për Juventus Seravën ishte kjo fitorja e 17-të sezonale, për të cilën kontribuan, Armando Alijeviq, Furkan Shabani dhe Omer Osmani, që shënuan nga dy gola, ndërsa nga një gol tjetër shtuan edhe Bajram Ametov, Abdullah Hasani dhe Kerim Mamud.
Javën e ardhshme, Juventus Serava do të udhëtojë drejt Manastirit, për tu përballur me skuadrën e Konzuli. (infOSport.mk)