Prishtina dhe Ballkani do të diskutojnë Kupën e Kosovës këtë edicion, pasi sot në gjysmëfinale arritën të eliminojnë, Dritën, gjegjësisht Suharekën, njofton “infOSport.mk”.
Pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë, Drita dhe Prishtina të njëjtën gjë e përsëritën edhe sot, me ç’rast vazhdimet dy herë nga 15 minuta, ishin ata që vendosën udhëtuesin për në finalen e madhe.
Pjesa e parë e vazhdimeve nuk solli gola, derisa e dyta nisi në mënyrë fantastike për Prishtinën, kjo falë autogolit të Albert Dabiqajt në minutën e 111-të, gol ky që në fund doli të jetë edhe vendimtarë në fitoren e Prishtinës.
Në finalen e madhe skuadra nga kryeqendra kosovare do të përballet me Ballkanin nga Suhareka, që në gjysmëfinalen lokale eliminoi Suharekën me rezultatin e përgjithshëm 3:2.
Takimi i sotëm mes Ballkanit dhe Suharekës u mbyll me shifrat 2:2, ashtu që vetëm fitorja 1:0 nga takimi i parë për skuadrën kampione, i mundësoi skuadrës së Ilir Dajës kalimin në finalen e madhe.
Pas vetëm dhjetë minutash lojë, Ballkani kaloi në epërsi me golin e Gentrit Halilit. Pjesa e dytë ishte sërish e dominuar nga vendasit e Ballkanit, por që u befasuan fare në fund.
Në minutën e 73-të, Nazmi Gripshi shënoi edhe golin e dytë për Ballkanin, dhe kur të gjithë menduan se “portokallinjtë” nga Suhareka pa probleme do të mbyllin takimin kthyes, në skenë në 10 minutat e fundit të takimit, doli sulmuesi i Suharekës, Fitim Susuri, i cili fillimisht në minutën e 81-të realizoi për 2:1, ndërsa dhjetë minuta më vonë e shënoi edhe të dytin për barazim të rezultatit në 2:2.
Megjithatë kjo ishte e tëra që ndodhi në këtë ndeshje mjaft interesante, në të cilën skuadra e Suharekës eliminohet me kokën lartë, pasi nuk arritën që vetëm për një gol ta çonin ndeshjen në vazhdime. (infOSport.mk)