Kosova do të jetë mikpritëse e një tjetër ngjarje madhështore gjatë këtij viti.
Është Federata e Muaythait e Kosovës (FMTHK), të cilës i është besuar organizimi i Kampionatit Evropian, i cili do të mbahet prej 7-14 nëntor në Prishtinë.
Përmes një letër konfirmimi Federata Botërore e Muaythait (IFMA), i ka konfirmuar FMTHK-së dhënien e organizimit të Kampionatit, pas edhe vizitës së bërë javë më parë të drejtuesve të kësaj Federate në Kosovë.
“Vendimi për t’i dhënë të drejtën e organizimit FMAK-së është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të faktorëve të ndryshëm, duke përfshirë përkushtimin e demonstruar të Federatës për zhvillimin dhe promovimin e muaythait, si dhe objektet dhe infrastrukturën mbresëlënëse që Kosova ka në dispozicion. Ne kemi besim se nën udhëheqjen tuaj, Kampionatin Evropian 2024 do të jetë një sukses i jashtëzakonshëm, duke shfaqur talentin e muaythait nga e gjithë Evropa”, thuhet në letrën e drejtorit gjeneral të IFMA-së, Charissa Tynan.
IFMA ka 50 anëtarë të Evropës, që nënkupton se në Evropianin në Prishtinën pritet të jenë rreth 500 garues të 50 shteteve të kontinentit tonë.