Shpëtim Duro, 500 ndeshje si trajner! Gjithçka kishte nisur shekullin e kaluar te Bylisi, për të vijuar historinë e suksesshme me Struga Trim Lum

Një histori e bukur kjo  e Shpëtim Duros, që kishte nisur shtatorin e vitit 1999 në stolin e Byllisit dhe vijon me shkëlqimin maksimal në drejtimin e Struga Trim Lum, ndërmjet të cilave numëron 244 fitore, 124 barazime dhe 132 disfata….

Ndeshja e djeshme midis Struga Trim Lum dhe Voska Sport ishte shumë e veçantë për trajnerin e ekipit strugan, Shpëtim Duro, pasi i njëjti regjistroi ndeshjen e tij të 500-të jubilare si trajner.

Gjithçka kishte nisur fundin e shekullit XX, më saktësisht shtatorin e vitit 1999, kur tekniku 64-vjeçar nga Tirana ishte ulur në bankinën e Bylisit, aty ku qëndroi deri në shkurt të vitit 2000.

Skuadra e rradhës ishte ajo e Dinamos, ndërsa brenda të njëtit vit provoi veten edhe te Apolonia, që me 22 shtator të vitit 2001, për herë të parë të ulet në bankinën e Partizanit, të cilën skuadër e kishte udhëhequr në katër periudha të ndryshme.

Pas aventurës me “demat e kuq” nga Tirana, Duro kaloi tek skuadrat kombëtare, duke drejtuar grupmoshat U17 dhe U19, ndërsa njëkohësisht ishte krahu i djathtë i Oto Bariç te kombëtarja A e Shqipërisë.

Pas eksperiencës së bukur “kuqezi”, Duro në fillim të nëntorit të vitit 2008 morri drejtimin e skuadrës së Besës nga Kavaja, me të cilën skuadër fitoi edhe trofetë e parë në karrierën si trajner.

Me këtë skuadër, Duro fitoi Kupën e Shqipërisë, e më pas edhe Superkupën.

Eksperienca e rradhës për Shpëtim Duron, ishte Skënderbeu, me të cilën skuadër fitoi titullin e kampionit në Shqipëri, duke i hapur rrugë epokës së artë të skuadrës nga Korça, skuadër kjo që më pas u shndërrua në skuadrën e parë shqiptare, që preku grupet e Liga Europa për dy vite.

Si kampion, Duro e vijoi karrierën e tij më pas në Shkodër, aty ku drejtoi Vllazninë, para se të rikthehej edhe njëherë tjetër për të drejtuar Partizanin.

Ishte kjo eksperienca e tij e tretë dhe më e shkurtëra nën drejtimin e Partizanit, për të bërë më pas hapin e parë si trajner jashtë Shqipërisë, kur më 02 mars të vitit 2014-të morri drejtimin e Shkëndijës së Tetovës.

 

Mirëpo pavarësisht një ecurie pozitive në Kupat e Europës, Duro nuk arriti dot të merrte një trofe në të dyja eksperiencat që pati me skuadrën nga Tetova.

Mes dy aventurave si “kuqezi”, 64-vjeçari pati edhe eksperiencën e katërt si pjesë e Partizanit, të cilën skuadër e kishte drejtuar në 103 ndeshje.

Shpëtim Duro drejtoi edhe Flamurtarin në periudhën 2017-2018, ndërkohë që për disa muaj u transferua te skuadra e Dritës në Kosovë, para se të rikthehej në Shqipëri për të marrë “timonin” e Kukësit, kur u afrua shumë pranë titullit kampion.

Eksperiencat e fundit në Shqipëri ishin me Laçin në dy raste dhe me Egnatian, para se 2 marsin e vitit 2023 të marrë drejtimin e skuadrës së Struga Trim Lum, duke zëvendësuar Srgjan Zaharievskin.

Ardhja e tij solli shumë freski në rradhët e Struga Trim Lum, ndërsa më së miri e dëshmojnë 11 ndeshjet e sezonit të kaluar, kur nën drejtimin e tij regjistruam 9 fitore dhe 2 barazime, duke u shpallur në fund edhe kampion të Maqedonisë, për herë të parë në historikun tonë.

Përveç titullit kampion, Duro me skuadrën strugane ishte shumë pranë për të prekur edhe grupet e Ligës së Konferencës, aty ku u ndalëm vetëm në ndeshjet e “play-off”.

Me Duron, Struga Trim Lum po kryeson kampionatin sërish, duke regjistruar 17 fitore, 3 barazime dhe 5 disfata në gjithsej 25 ndeshje.

Ndryshe, Duro skuadrën e Struga Trim Lum e ka udhëhequr në gjithsej 47 ndeshje, përfshirë këtu edhe ndeshjet e Kupës së Maqedonisë dhe ato ndërkombëtare.

30 fitore, 6 barazime dhe 11 disfata, dy prej të cilëve kishin ardhur vetëm pas ruletit të penaltive, edhe atë ndeshjen finale të edicionit të kaluar dhe ndeshjen e 1/8 së finales të këtij edicioni.

Si skuadra me më shumë fitore dhe njëherit me më shumë gola të shënuar në Ligën e Parë, Struga Trim Lum me Shpëtim Duron si trajner është në rrugën e duhur drejt titullit të dytë kampion, ndërsa strategu nga Tirana mund të krenohet me një karrierë të shtrirë në më shumë se dy dekada dhe me 4 tituj.

Gjithë këto statistika dhe vlerësime, e bëjnë Shpëtim Duron trajnerin më të vlerësuar për momentin dhe një nga më të mirët në historinë e futbollit në trevat mbarë shqiptare.

Leave a Reply