Barcelona ka eliminuar Napolin dhe do të luaj në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen e kthimit “katalunasit” shënuan fitore 3:1 në “Monzhuik” dhe pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë në Itali, ata vazhdojnë tutje, njofton “infOSport.mk”.
Golat e shënuar nga Fermin Lopez (15′) dhe Zhoao Kanselo (17′) i dhanë avantazhin e sigurtë Barcelonës, ndërsa paqartësitë u rikthyen me golin e Amir Rrahmanit në minutën e 30-të.
Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat kishin rastet e tyre, teksa në minutën e 80-të rezerva e Napolit, Jepser Lindstrom, lëshoi një rast shumë të mirë që nga afërsia të barazojë shifrat.
Nuk vonoi shumë dhe tre minuta më pas, “katalunasit” ndëshkuan mysafirët, duke realizuar golin e tretë me anë të Robert Levandovskit, i cili deri në ato momente ishte thuajse i pa pashëm në terren.
Deri në fund të takimit, “napolitanët” qëlluan shtyllën, duke humbur edhe një mundësi tjetër për të shënuar kundër Barcelonës, nga e cila skuadër në fund u eliminuan me rezultatin e përgjithshëm 4:2.
Ndërkohë udhëtuesi i rradhës për në ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve, do të vendoset midis Arsenalit dhe Portos, ndeshje në të cilën po zhvillohen vazhdimet dy herë nga 15 minuta, kjo pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 1:0 në favor të skuadrës angleze.
Mirëpo duke pasur parasysh se edhe ndeshja e parë e zhvilluar në Portugali, ishte mbyllur me fitoren minimale të Portos, këtë ndeshje mund ta vendosin penaltitë, nëse nuk do të bie ndonjë gol gjatë 30 minutave vazhdim. (infOSport.mk)