Reali, mes drithërimash në çerekfinale (VIDEO)

Pasi të martën njohëm dy çerekfinalistët e parë, Bajernin e Munihut dhe Paris Sen Zhermenin, sonte mësuam edhe dy skuadrat tjera që siguruan një vend në mesin e 8 skuadrave më të mira në Europë.

Real Madridi dhe Mançester Siti ashtu edhe siç pritej u kualifikuan për në ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Nëse Siti pa shumë probleme trasoi rrugën drejt raundit tjetër, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për Realin, që mbrohej deri në fund, e ku vetëm traverza e shpëtoi nga vazhdimet dy herë nga 15 minuta.

Ashtu sikurse kishte paralajmëruar edhe trajneri Marko Roze, edhe pse e kishte humbur minimalisht ndeshjen e parë në Gjermani, skuadra e Lajpcigut ka luajtur si e barabartë në Madrid përballë vendasve, duke i vënë jo pak në vështirësi.

Megjithatë, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa ajo e dyta dhuroi dy gola, nga një në secilën pjesë.

Ishin vendasit e Real Madridit që kaluan të parët në epërsi, pas një aksioni të bukur, të finalizuar nga Vinicius Zhunior në minutën e 65-të, derisa gjermanët reaguan dhe barazuan shifrat vetëm pas 3 minutash me anë të Orbanit.

Lajpcigu luftoi fort, duke e mbizotëruar lojën ndaj vendasve, teksa në momentet e fundit të takimit, traverza i mohoi golin Olmos.

Pas këtij momenti nuk kishte më edhe shumë kohë, ashtu që arbitri dha shenjë për fundin e takimit, me Realin e Madridit që në çerekfinale duhet pranuar se u kualifikua mes drithërimash. (infOSport.mk)

Leave a Reply