Fitorja e sotme ndaj Makedonija GJ.P doli të jetë me shumë peshë për skuadrën e Struga Trim Lum, pasi përveç që ndërprenë serinë prej 3 ndeshjeve pa fitore, ata u rikthyem në pozitën e parë, duke mbyllur kështu fazën kryesore të kampionatit si lider të tabelës së klasifikimit.
Tre barazimet e njëpasnjëshme në pranverë kishin mobilizuar skuadrën strugane, që ishte e fokusuar tek fitorja që nga fillimi.
Një presion që në mesfushë nga ana e futbollistëve të përzgjedhur të Shpëtim Duros, rezultoi me dy gola brenda 25 minutave të para.
Goli i parë erdhi në minutën e 13-të, kur Bunjamin Shabani mjaft mirë u lirua nga kundërshtarët brenda zonës, dhe me të djathtën e tij shënoi edhe golin e dytë pranveror, duke kaluar në avantazh skuadrën e Struga Trim Lum që në fazën e hershme.
Nuk kaloi shumë kohë dhe në minutën e 21-të, pas harkimit të Vangjel Zguros nga e majta, Marjan Radeski shënoi për 2:0. Sulmuesi me origjinë nga Prilepi, u gjind më së miri në zonën kundërshtare, duke realizuar golin e tij të 10-të sezonal.
Pjesa e dytë nisi me ndryshime në të dyja taboret, ndërsa vendimi i trajnerit të ri të Makedonija GJ.P, Boban Grnçarov, për ta inkuadruar në lojë talentin shqiptarë, Altin Aliji, rezultoi si vendim i drejtë, pasi pikërisht futbollisti 17-vjeçar arriti që të shënojë në rrjetën e Qoshevskit, duke e bërë ndeshjen më interesante.
Mirëpo një gjë e tillë mund të thuhet vetëm për ato momente, pasi në vazhdim ishte sërish Struga Trim Lum që diktonte tempo dhe që kishte kontrollin e lojës.
Besart Ibraimi sërish doli në skenë, këtë herë në minutëne 62-të, kur lëshoi një predhë të vërtetë në drejtim të portës kundërshtare, mirëpo me një intervenim bravuroz, portieri mysafir Stevkovski nuk lejoi gëzimin e bomberit kërçovarë.
I rrezikshëm para portës kundërshtare u shfaq edhe autori i golit të dytë, Marjan Radeski, mirëpo goditja e tij doli të jetë e plogëzht, edhe pse para vetes pati një pozitë shumë të mirë për të shënuar edhe golin e 11-të sezonal.
Besart Ibraimi goditjen e tij e provoi edhe në minutën e 70-të, mirëpo në këtë rast mungoi goditja e tij e fuqishme.
5 minuta më vonë tentoi edhe kapiteni Shabani, i cili mjaft mirë depërtoi në zonën kundërshtare, mirëpo në këtë rast mjaft mirë kishte lexuar këtë aksion portieri kundërshtarë.
Deri në fund nuk regjistruam ndonjë rast ideal për gol, ashtu që ndeshja u mbyll me fitoren 2:1 të Struga Trim Lum, skuadër kjo që ndeshjet e raundit të tretë do ti nis me ndeshjen si vendas kundër AP Brera. (infOSport.mk)