Kartoni i kuq në ndeshjen e fundit kundër Valencias në transfertë, i ka kushtuar shtrenjtë Jude Bellinghamit dhe gjithë ekipit të Real Madridit.
Siç raporton “Mundo Deportivo”, Bellingham është pezulluar me dy ndeshje, pas deklaratave të tij mosrespektuese ndaj arbitrit kryesor të ndeshjes, Gil Manzano.
Kështu, Bellingham do të humbasë dy ndeshjet e rradhës në La Liga të Real Madridit kundër Selta Vigos me 10 mars, si dhe ndeshjen e 16 marsit kundër Osasunës në “Pamplona”.
Një skualifikim ky i një rëndësie jo të vogël në garën drejt titullit të La Liga-s, pavarësisht 7 pikëve epërsi që skuadra madrilene ka për momentin ndaj skuadrës së dytë në renditje, Gironas dhe 8 pikëve karshi Barcelonës së vendit të tretë.
Pas këtij pezullimi, Real Madridi ka 10 ditë për ta apeluar dënimin dhe parandaluar që kjo situatë të konkretizohet.
Ndërkohë, lajm i mirë është që Ançeloti do të mund të llogaris në shërbimet e britanikut për ndeshjen e Ligës së Kampiponëve kundër Lajpcigut, ndeshje kjo e vlefshme për 1/8 e finaleve të Ligës së Kampionëve.
Kjo ndeshje në program është sonte dhe e njëjta do të luhet në “Santiago Bernabeu”, aty ku skuadra spanjolle futet me epërsinë e një goli pas fitores 1:0 në ndeshjen e parë në Gjermani.