Super derbi në Strugë u mbyll me barazim, lufta për titull vazhdon (VIDEO)

Të pranishmit në stadiumin e qytetit në Strugë, ishin dëshmitarë të një super dueli midis Struga Trim Lum dhe FC Shkupit, që në fund arsyetoi edhe epitetin e ndeshjes derbi të xhiros së 20-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut.

Pjesa e parë nuk dhuroi edhe shumë raste shënimi, me ekipin strugan që kontrolloi lojën, derisa që në fazën e hershme të ndeshjes, patën mundësinë të shënojnë nga pika e bardhë, mirëpo Besart Ibraimi nuk arriti të mposhte Artan Iljazin.

Skuadra e Shpëtim Duros vazhdoi ti vinte në presion mysafirët edhe në vazhdim të takimit, por nuk ishte në gjendje të shfrytëzonte rastet e Bekim Kamberit dhe Marjan Radeskit pak para fundit të pjesës së parë, me ç’rast në pushim skuadrat shkuan me rrjeta të paprekura.

Pjesa e dytë rezultoi të jetë shumë më efikase dhe me më shumë raste, ku sërish Struga Trim Lum kishte më shumë nga loja.

Vendasit edhe përfundimisht kaluan në epërsi në minutën e 54-të përmes kapitenit Bunjamin Shabani, i cili mjaft mirë u asistua nga ana e Besart Ibraimit në shtyllën e parë, para portierit Iljazi, duke e mposhtur atë për herë të parë në këtë ndeshje.

Struga Trim Lum vazhdoi të shtyjë përpara në përpjekje për të zgjeruar avantazhin, derisa shumë pak mungonte që në minutën e 57-të, Toshevski të dërgonte topin në rrjetën e gabuar, në atë të Iljazit.

Ndërkohë një pakujdesi para zonës së 16-të metërshit nga ana e futbollistëve vendas, i mundësoi FC Shkupit që të barazojë shifrat, kjo falë edhe gjindshmërisë së sulmuesit nrovegjez, Emanuel Gronner, i cili në ndeshjen e tij të dytë zyrtare me fanellën “bardheblu” realizoi golin e tij të tretë personal.

Megjithatë gëzimi i mysafirëve nuk zgjati shumë, pasi vetëm dy minuta më vonë, Besart Ibraimi sërish u shfaq i rrezikshëm para portës kundërshtare, duke luajtur rolin e asistuesit, këtë herë për Marjan Radeskin, që në ato momente kaloi për herë të dytë në epërsi ekipin e Struga Trim Lum.

Edhe goli i dytë i shënuar nga ana e kundërshtarit, erdhi pas një reagimi të dobët në pjesën difezinve të sttruganëve, aty ku këtë herë u shfaq mbrojtësi Marjan Radeski, i cili në tentativë për të pastruar rrezikun brenda zonës, devijoi topin vetëm deri te Abdul Ruatubaje, i cili me një goditje nga distanca barazoi shifrat në 2:2.

E gjithë kjo ndodhi në minutën e 74-të, ndërsa 7 minuta para fundit të takimit Struga Trim Lum mund të shënonte edhe golin e tretë, me autorë Sava Radiç, kur ky i fundit me kokë goditi mjaft mirë në drejtim të portës kundërshtare, mirëpo traverza në këtë rast ishte aleate e Artan Iljazit, por edhe FC Shkupit, që nga Struga largohet me një pikë.

Kështu pas 20 xhirove të kaluara në elitën e futbollit vendor, FC Shkupi kryeson renditjen me 42 pikë, një më shumë se Struga Trim Lum e vendit të dytë, derisa Shkëndija me 38 pikë dhe një ndeshje më pak pozicionohet në vendin e tretë. (infOSport.mk)

Leave a Reply