Zaharievski merr drejtimin e Voska Sport, debuton ndaj ish skuadrës së tij ku arriti suksesin më të madh

Srgjan Zaharievski edhe zyrtarisht ka marrë timonin e Voska Sport, njofton “infOSport.mk”.

Zaharievski në postin e trajnerit te skuadra shqiptare nga Ohri do të zëvendësojë malazezin Miljan Radoviç, i cili u shkarkua gjatë ditës së djeshme, pasi i njëjti e nisi startin pranveror me një disfatë të thellë 3:0 përballë FC Shkupit.

Zaharievski, në këtë mënyrë rikthehet buzë liqenit të Ohrit, duke pasur parasysh se i njëjti së fundmi drejtonte Struga Trim Lum. Megjithatë, për dallim nga Struga Trim Lum, me të cilën skuadër luftonte për Europë dhe titullin kampion, me Voska Sport, strategu 50-vjeçar, do të duhet të luftojë për mbijetesë.

Kujtojmë, në të kaluarën, Zaharievski përveç Struga Trim Lum, ka udhëhequr edhe Metalurgun dhe Pelisterin.

Debutimin në bankinën e Voska Sport, Zaharievski do ta ketë të dielën kundër Sileksit, ish skuadrës së tij, me të cilën si futbollistë kishte arritur sukseset më të mëdha në karrierë, duke u shpallur edhe kampion, por njëkohësisht duke fituar edhe Kupën e Maqedonisë. (infOSport.mk)

Leave a Reply