Disfata 3:0 e së dielës kundër FC Shkupit i ka kushtuar me përjashtim nga Voska Sport strategut malazez, Miljan Radoviç, njofton “infOSport.mk”.
Radoviç drejtimin e skuadrës shqiptare nga Ohri e morri me 15 qershor të vitit të kaluar. Ai skuadrën e Voska Sport e udhëhoqi në gjithsej 34 ndeshje, 19 prej të cilave në kampionat, 3 në kuadër të Kupës dhe në 12 ndeshje kontrolluese, përfshirë këtu edhe 5 kontrollueset e fazës dimërore.
Në 19 ndeshje kampionale, Radoviç me Voska Sport regjistroi 5 fitore, 5 barazime dhe 9 disfata. Suksesin më të madh me malazezin si kryetrajner, Voska Sport e arriti me kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës.
Mbetet të shihet cili do të pasojë malazezin në krye të skuadrës së Voska Sport, edhe pse nuk është për tu habitur, nëse sërish rikthehet Berat Imeri, me të cilin skuadra shqiptare nga Ohri, arriti suksesin më të madh, duke u inkuadruar për herë të parë në elitën e futbollit vendor.
Pas 19 xhirove të kaluara në Ligën e Parë, Voska Sport ndodhet në zonën e ftohtë, me vetëm dy pikë më shumë se skuadra e fundit Vardari. (infOSport.mk)