Krahas ndryshimeve të shumta në formacion, ku FC Shkupi ishte një ndër skuadrat më aktive në merkaton e janarit, duke sjellë plotë 9 futbollistë të rinj, përfshirë këtu edhe të fundin, Aleksandar Bogdanoski, skuadra nënkampione e vjeshtës ka bërë ndryshime edhe në stafin menaxhues, njofton “infOSport.mk”.
Kështu së fundmi nga kjo skuadër njoftojnë se Minas Osmani, një emër i njohur në futbollin tonë vendor, prej sot e tutje do të kryej punën e “Team Manager”.
Osmani hapat e parë me futbollin i kishte bërë te skuadra e Vardarit, ndërsa si profesionist i njëjti një periudhë shumë të bukur kishte luajtur edhe me skuadrën e tij të zemrës, FC Shkupin.
Ai te kjo skuadër deri më tani ka qenë i angazhuar me punë në funksione të ndryshme, ndërsa duke vlerësuar kapacitetin e tij, presidenti Olgun Ajdin, ka vendosur që t’ia besoj këtë post shumë të rëndësishëm.
Pikërisht, Osmani gjatë ditës së sotme në rolin e tij të ri, atë të “Team Manager”, prezantoi përforcimin e fundit të FC Shkupit, Aleksandar Bogdanoski.
Bëhet fjalë për një futbollistë vetëm 18 vjeçar nga Struga, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Kozhuf, që garon në Ligën e dytë.
Kujtojmë se Bogdanoski më parë ishte pjesë edhe e Rabotniçkit, ndërsa është edhe anëtar i rregullt i përfaqësueses së Maqedonisë, U17 dhe tani edhe U18-të. (infOSport.mk)