Super lajm për tifozët e FC Shkupit, Dembo Darboe rikthehet në Çair!

FC Shkupi po vijon përgatitjet në Antalia të Turqisë, aty ku trajneri Mladen Zhizhoviç po provon edhe disa futbollistë të rinj, që mund të jenë përforcimet e duhura për skuadrën nga Çairi për në stinorin pranveror, shkruan ‘infOSport.mk’.

Aktualisht janë tre futbollistë që po testohen nga strategu boshnjak bashkë me stafin e tij.

Mbetet të shihet nëse të njëjtit do të plotësojnë kërkesat e trajnerit dhe do të bëhen pjesë e FC Shkupit, drejtuesit e së cilës skuadër tashmë po mendojnë edhe rikthimin e ish sulmuesit të tyre, Dembo Darboe.

Aktualisht 25-vjeçari nga Gambia është në pronësi të skuadrës së Al Nasr nga Emiratet e Bashkuara. Duke pasur parasysh konkurrencën e madhe te kjo skuadër, ata vitin e kaluar e huazuan te skuadra kazake e FC Astana, ndërsa të njëjtën gjë dëshirojnë ta bëjnë edhe këtë vit.

Informacionet tona flasin se në këtë çështje është angazhuar direkt presidenti i FC Shkupit, Olgun Ajdin, i cili me çdo kusht kërkon rikthimin e sulmuesit Darboe në Shkup, duke besuar se i njëjti mund të ndihmojë skuadrën në arritjen e objektivit, titullin e kampionit.

Kujtojmë, Darboe pjesë e FC Shkupit ishte për gati 18 muaj, duke zhvilluar 42 ndeshje dhe duke realizuar 19 gola.

Vlen të theksohet në veçanti pjesa e parë e edicionit 2020/21, kur i njëjti në 18 ndeshje realizoi 16 gola, duke qenë një ndër më të merituarit për titullin kampion të FC Shkupit, pavarësisht se nuk e zhvilloi edhe pjesën e dytë të atij sezoni.

Një rikthim i Dembo Darboe në Çair, pa dyshim se do të ishte një super lajm për tifozët e FC Shkupit, që njohin kualitetet e sulmuesit nga Gambia, por njëkohësisht do të ishte edhe një sihariq për Ligën e Parë të Maqedonisë në përgjithësi. (infOSport.mk)

Leave a Reply