Në stërvitjen e djeshme të skuadrës së Dinamos, që garon në elitën e futbollit shqiptarë, prezent ishte edhe Shqiprim Taipi, një mesfushorë ky, që më parë është aktivizuar me FC Shkupin, Shkëndijën dhe Horizont Turnovën në vendin tonë.
Nga klubi dinamovit, aty ku rolin e Drejtorit Sportiv, e luan shkupjani Haris Fakiq, kanë bërë me dije se më i vogli nga vëllezërit Taipi, ka ardhur vetëm për t’u stërvitur, pasi aktualisht është pa skuadër. Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë më tej.
Ai së fundmi ishte pjesë e skuadrës kazake të Kaspiy Aktau, aty ku kaloi një periudhë 6 mujore, pas transferimit nga rradhët e Kukësit verën e vitit të kaluar.
Pavarësisht se nga Dinamo kanë bërë të ditur se i njëjti vetëm po stërvitet, Taipi mund të jetë një alternativë për mesfushën e skuadrës së njohur shqiptare, aq më tepër që ai luan në një repart, ku “blutë” kanë pasur gjithmonë nevojë, në qendër të mesfushës.