Skuadra kampione e vjeshtës në Ligën e Dytë, Besa nga Dobërdolli, vazhdon me konsolidimin e ekipit në të gjitha nivelet. Pasi fillimisht konsoliduan dukshëm ekipin e parë, më pas edhe Akademinë e futbollit, duke sjellë në krye të saj njerëz profesionist, së fundmi ata kanë ndërhyrë edhe në organet udhëheqëse, duke emëruar Vloran Bexhetin në postin e Sekretarit të përgjithshëm.
Vloran Bexheti i lindur në Tetovë në vitin 1971, ka një CV të pasur pas vetes, duke punuar për dy skuadrat e mëdha shqiptare nga Pollogu, fillimisht Shkëndijën, edhe atë në periudhën 2003-2007, kur luante rolin e Sekretarit, ndërsa të njëjtin rol për plotë 15 vite (2008-2023) e kishte luajtur te skuadra tjetër tetovare e Renovës.
Bexheti gjithashtu për 10 vite të plota, duke fillluar nga viti 2007, deri në vitin 2017-të, kishte qenë edhe Sekretar në Lidhjen Futbollistike Komunale të Tetovës.
Klubi i futbollit Besa e Dobërdollit me emërimin e Vloran Bexhetit në postin e Sekretarit të përgjithshëm do të jetë klub me administratë vërtet profesionale duke pasur para sysh objektivat e tyre afatgjate.