Xhelil Asani edhe në pranverë do të luaj në Superligën shqiptare. Mbrojtësi me origjinë nga Kërçova, ka vendosur që sërish të veshë fanellën e Erzenit, te e cila skuadër luajti sezonin 2022/23, njofton “infOSport.mk”.
Pjesën e parë të këtij sezoni, Asani e kaloi te Vllaznia, mirëpo pa arritur të lërë gjurmë.
Kështu palët ndërprenë bashkëpunimin para disa ditëve, me Asanin që kishte zhvilluar vetëm 3 ndeshje në Superligë me fanellën e Vllaznisë.
Ndërkohë shumë më mirë, 28-vjeçari Asani kishte kaluar te skuadra e Erzenit para një sezoni, kur kishte zhvilluar 24 ndeshje, duke regjistruar edhe 1 gol dhe 3 asistime për skuadrën nga Shijaku.
Kujtojmë, Erzeni aktualisht ndodhet në pozitën e 8-të, që përkon me zonën e “play-out”. Objektiv është së paku mbijetesa, ndërsa ndodhen dhe në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, aty ku për kundërshtarë do të kenë Vllazninë e Shkodrës.
Një stimul shtesë për Asanin, që nëse i jepet rasti për të dëshmuar para ish skuadrës së tij, se kanë gabuar që ndërprenë bashkëpunimin para kohe. (infOSport.mk)