Voska Sport po vazhdon të jetë kampioni i transferimeve në Ligën e Parë, teksa skuadra shqiptare nga Ohri sipas informacioneve që ka siguruar “infOSport.mk”, së shpejti pritet të prezantojë boshnjakun, Milosh Açimoviç.
Bëhet fjalë për një sulmues të krahut të majtë, që gjithashtu mund të luaj edhe në të djathtë, ndërsa ekipi i tij aktual është Leotar Trebinje nga Bosnje e Hercegovina.
Pikërisht te kjo skuadër, 26-vjeçari kishte nisur karrierën e tij, gjatë së cilës gjithashtu kishte veshur edhe fanellën e Zrinjski Mostar dhe FK Krupa, ndërsa kishte kaluar një aventurë të shkurtër edhe në Austri, duke mbrojtur ngjyrat e skuadrës së SV Lafnitz.
Gjatë pjesës së parë të sezonit aktual, me skuadrën e Leotar nga Trebinje, Açimoviç në 12 ndeshje kishte realizuar 5 gola, ndërsa në përgjithësi në karrierën e tij numëron gjithsej 114 ndeshje dhe 23 gola të shënuar.
Prej tyre, 81 ndeshje, Açimoviç i ka zhvilluar në elitën e futbollit boshnjak, ku ka shënuar edhe 14 gola, shifër këtë të cilën e ka arritur së fundmi edhe me skuadrën e Leotar Terbinje.
Kujtojmë, më herët gjatë ditës së sotme, Voska Sport, prezantoi qendërmbrojtësin Hristijan Jankuloski, ndërsa më parë gjithashtu për vete kjo skuadër kishte bërë edhe një boshnjak tjetër, Petar Bojo, pastaj brazilianin Andre Mensalao, portierin Kostadin Zahov, mbrojtësin e krahut të djathtë Ardit Iljazi, qendërmbrojtësin Antonio Ilieski, sulmuesin e krahut të djathtë, Abdylhadi Jahja, si dhe mesfushorin Fatjon Jusufi. (infOSport.mk)