Futbollisti i deridjeshëm i Voska Sport, Stojan Stojçevski, karrierën e tij ka vendosur ta vazhdojë në futbollin kosovar, te skuadra e Ferizajit, që aktualisht garon në Ligën e Dytë, mirëpo që pretendon rikthimin në mesin e më të mirëve.
Stojçevski vetëm ditë më parë u largua nga skuadra shqiptare nga Ohri, pasi drejtuesit e kësaj të fundit i kishin bërë të ditur që nuk llogarisin në shërbimet e tij, pavarësisht se i njëjti gjatë stinorit vjeshtorë, ishte një ndër futbollistët më standard te Voska Sport.
Stojçevski ka një bagazh të madh në futbollin elitar vendor, aty ku numëron 142 ndeshje, ku pjesën më të madhe i kishte zhvilluar me skuadrën e Sileksit.
Ai gjatë karrierës së tij, në Ligën e Parë të Maqedonisë, ka luajtur edhe me Borecin, Horizont Turnovën, Teteksin, Makedonija Gj.P, Vardarin, AP Brera, Rabotniçkin dhe Skopjen, derisa transferimi te skuadra e Ferizajit, do të jetë i pari jashtë kufijve të Maqedonisë.
Stojçevski është futbollisti i dytë që i bashkohet Ferizajit në këtë afat kalimtarë nga Maqedonia, pas Riste Temelkov, ndërsa gjithashtu pjesë e kësaj skuadre në pranverë do të jetë edhe ish futbollisti i Renovës, Alush Gavazaj.
Stojçevski te skuadra e tij e re, përveç Temelkovit, do të gjejë edhe portierin Marko Jovanovski, Filip Gligorov si dhe Behar Bardhin, vëllain e Enisit të Trabzonspor. (infOSport.mk)