Shkëndija gjatë ditës së sotme ka bërë edhe transferimin e dytë në këtë merkato, nëse këtu nuk llogarisimi rikthimin e portierit Astrit Amzai nga huazimi te Gostivari, apo edhe kontratën e parë profesionale me Anes Meliqin, që vjen nga shkolla e futbollit të kësaj skuadre.
Kështu, pas Vane Krstevskit, që erdhi nga rradhët e AP Brera, Shkëndija sot ka prezantuar edhe një futbollistë tjetër me origjinë nga Shtipi, Stefan Kocev.
“Ndjehem shumë bukur që firmos me një prej klubeve më të mira në Maqedoni. Gjithsesi se do të luftojmë për të dalë kampionë. E dimë se Shkëndija ka numër të madh të publikut, e cila është lojtari i 12-të në çdo ndeshje. Unë gjithmonë jap maksimumin tim dhe premtoj se në çdo ndeshje do të lë zemrën në terren“, tha Kocev, pasi zyrtarizoi bashkëpunimin me Shkëndijën.
Ky i fundit me skuadrën tetovare ka nënshkruar kontratë 18 mujore, ndërsa në Tetovë vjen nga Kazakistani, nga rradhët e skuadrës së Kaspiy Aktau.
Ai te kjo skuadër ishte transferuar një vit më parë nga ekipi i Bregallnicës, ndërsa gjatë karrierës së tij kishte provuar veten edhe në futbollin kosovar, duke luajtur me dy skuadrat prizrenase, Lirinë dhe A&N, ndërsa gjithashtu kishte pasur një aventurë të shkurtër edhe në Greqi, duke luajtur me ekipin e Aspropyrgos.
Ndryshe në futbollin vendor, përveç me skuadrën e vendlindjes së tij, Bregallnicën, Kocev kishte luajtur edhe me Sileksin. (infOSport.mk)