Struga Trim Lum tashmë disa ditë po vijon përgatitjet në Strugë në prag të stinorit pranveror, ku kjo skuadër do të futet si lider, me shpresë se në fund do t’ia arrijnë qëllimit për të ruajtur atë pozitë dhe njëherit titullin kampion të fituar vitin e kaluar.
Mirëpo, siç mëson ekskluzivisht “infOSport.mk”, pjesë e këtyre përgatitjeve në vijim nuk do të jetë Ardi Idrizi, i cili ka shkëputur kontratën me kampionët e vendit.
Ai skuadrës së Struga Trim Lum iu bashkua verën e vitit të kaluar, kur erdhi nga ekipi i të rinjëve të Adana Demirspor nga Turqia, mirëpo i njëjti nuk arriti që të bind trajnerin Shpëtim Duro për ti dhënë mundësinë, ashtu siç strategu nga Shqipëria bëri me disa futbollistë tjerë të rinj që i kishte në skuadër, si Bekim Kamberi, Hadis Tairi, apo edhe Hristijan Georgievski.
Idrizi me Struga Trim Lum regjistroi vetëm një paraqitje, edhe atë në përballjen kundër Rabotniçkit.
Kujtojmë, më parë nga rradhët e Struga Trim Lum u largua edhe Abdylhadi Jahja, i cili ka vendosur që karrierën ta vazhdojë te skuadra e Voska Sport. (infOSport.mk)