Voska Sport po tregohet shumë aktive në merkato, teksa kjo skuadër ka arritur të bëjë për vete edhe një ndër portierët më të mirë në vend, Kostadin Zahov.
Ky i fundit te skuadra shqiptare nga Ohri vjen me një bagazh shumë të pasur, duke pasur parasysh se pas vetes numëron 5 tituj kampion, 2 trofe të Kupës, paraqitje të shkëlqyeshme në Europë, plotë 144 rrjeta të paprekura dhe afërsisht 300 ndeshje në Ligën e Parë të Maqedonisë.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës së Zahov me Voska Sport, prezent ishin edhe presidenti Nefi Useini dhe Drejtori sportiv, Iskender Jonuzi, të cilët u shprehën të kënaqur që në skuadër kanë arritur të sjellin një portier kampion, i cili në të kaluarën ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë.
Zahov karrierën e tij e kishte nisur në vendlindje, me skuadrën e Bellasicës, për të luajtur më pas edhe me Vardarin, Horizont Turnovën, Bregallnicën dhe Shkëndijën e Tetovës, me të cilën skuadër kishte arritur sukseset më të mëdha në karrierë, duke u shpallur tre herë kampion, duke fituar dy herë trofeun e Kupës së Maqedonisë, ndërsa dy herë të tjera kampion ishte shpallur gjithashtu edhe me Vardarin. (infOSport.mk)