Futbollistët e FC Shkupit vazhdojnë përgatitjet për stinorin pranveror këtu në Shkup, teksa nesër kjo skuadër do të zhvillojë edhe kontrolluesen e parë kundër Shkëndijës së Haraçinës.
Ndërkohë siç mëson ekskulizvisht “infOSport.mk”, drejtuesit e skuadrës nga Çairi kanë bërë për vete edhe sulmuesin norvegjez, Emanuel Longe Grønner.
Bëhet fjalë për një sulmues shtatëlartë 191 cm, i cili te FC Shkupi vjen nga rradhët e Sogndal, ndërsa është prodhim i shkollës së skuadrës së njohur norvegjeze të Valerenga.
Ai me ekipin e Sogndal edicionin e kaluar zhvilloi 18 ndeshje, duke realizuar edhe 5 gola në OBOS-ligaen, Liga e Dytë norvegjeze, aty ku numëron gjithsej 39 ndeshje dhe 13 gola të shënuar.
Ndryshe gjatë karrierës së tij, 22-vjeçari kishte provuar veten edhe te skuadrat si Lyn, Kjelsås, Bærum dhe Jerv.
Grønner tashmë disa ditë i është bashkuar skuadrës së FC Shkupit, ndërsa i njëjti nesër do të paraqitet në ndeshjen kundër Shkëndijës së Haraçinës.
Kujtojmë, FC Shkupi të shtunën niset drejt Antalisë së Turqisë, aty ku do të zhvillojë fazën kryesore të përgatitjeve në prag të stinorit pranveror, ku sërish me shumë gjasa bashkë me Struga Trim Lum dhe Shkëndijën do të tentojnë titullin e kampionit. (infOSport.mk)