Skuadra e Voska Sport nga Ohri, nga dita në ditë po rritet si klub në të gjitha aspektet. Pas ndërtimit të një skuadre solide, që tashmë garon edhe në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, drejtuesit e Voska Sport me në krye presidentin Nefi Useini, rëndësi shumë të madhe po i japin edhe shkollës së futbollit, përmes së cilës po ndërtojnë futbollistët e së ardhmes.
I tillë është rasti me treshen, Lorent Zhaku, Arbër Hoxha dhe Bojan Zaturoski. Që të tre falë talentit dhe aftësive që posedojnë kanë rënë në syrin e trajnerit Miljan Radoviç dhe tashmë e tutje do të stërviten me skuadrën e parë.
Zhaku dhe Hoxha luajnë si mesfushorë, ndërkohë Zaturoski luan në vijën e sulmit. Kjo treshe pritet të rifreskojë rradhët e skuadrës shqiptare nga Ohri në prag të stinorit pranveror.
Tashmë disa ditë futbollistët e kësaj skuadre po zhvillojnë përgatitjet në qytetin e bukur të Ohrit, aty ku ditëve në vijim pritet të zbarkojnë edhe disa emra të rinj, të cilët pritet që të ngritin konkurrencën në skuadër dhe të ndihmojnë të njëjtën në arritjen e objektivave. (infOSport.mk)