Futbollisti izraelit, Sagiv Jehezkel, u arrestua dhe përjashtua nga skuadra e Antalyaspor-it për shkak të veprimit të tij pas shënimit të golit në ndeshjen kundër Trabzonsporin, raporton Anadolu.
Pasi shënoi gol në ndeshjen e djeshme, Jehezkel ndau një mesazh solidariteti me Izraelin duke ngritur dorën e tij të fashuar, në të cilën kishte mbishkrim lidhur me konfliktin në Gaza.
Mesazhi i referohej sulmit të kryer nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor dhe 100 ditëve të sulmit izraelit në Gaza. Gjithashtu, pjesë e mesazhit ishte edhe Ylli i Davidit, i cili simbolizon identitetin hebre.
Futbollisti izraelit u ndalua në paraburgim nga ekipet e Departamentit të Policisë së Antalya-s në kuadër të hetimeve të nisura nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Antalya-s me arsyetimin se ka kryer veprën penale të “nxitjes së publikut në urrejtje dhe armiqësi” dhe i njëjti është dërguar në Drejtorinë e Policisë.
Ministri i Drejtësisë i Turqisë, Yılmaz Tunç, në një postim në X u njoftoi se një hetim gjyqësor ishte nisur kundër Jehezkel-it “për veprimin e tij të shëmtuar në mbështetje të masakrës së Izraelit në Gaza pasi ai shënoi golin, për nxitjen e publikut për urrejtje dhe armiqësi”.
Në lidhje me rastin, reagoi edhe federata turke e futbollit duke dënuar “sjelljen plotësisht të papranueshme” të Jehezkel-it dhe duke nisur një hetim disiplinor kundër personave përgjegjës.
– Do të anulohet edhe kontrata
Nënkryetari i klubit Antalyaspor dhe zëdhënësi për media, Evren Alkan, deklaroi se avokatët e klubit po punojnë për të ndërprerë kontratën e Jehezkel-it.
Duke theksuar se futbollisti izraelit e ka bërë një lëvizje të tillë pa dijeninë e tyre, Alkan tha se përveç përjashtimit nga skuadra, Jehezkel-it së shpejti do t’i ndërpritet edhe kontrata.