Emran Ramadani dhe Gostivari kanë ndarë rrugët, me tetovarin që tashmë është i lirë për të kërkuar një skuadër të re, njofton “infOSport.mk”.
Ramadani pjesë e Gostivarit ishte që nga vera e vitit 2022, duke qenë pjesë e suksesit të madh, inkuadrimit në mesin e më të mirëve në futbollin vendor. Ai këtë edicion me fanellën e skuadrës nga Pollogu regjistroi vetëm 9 paraqitje, kjo edhe shkaku i konkurrencës së madhe.
Megjithatë eksperienca e tij në Ligën e Parë është e padiskutueshme, pasi i njëjti numëron plotë 240 paraqitje, 32 gola dhe 15 asistime.
Pjesën më të madhe të ndeshjeve në elitën e futbollit vendor, sulmuesi me origjinë nga Tetova i ka zhvilluar me skuadrën e Renovës, me të cilën skuadër kishte provuar veten edhe në ndeshjet e Liga Europa.
Ramadani gjatë karrierës së tij përveç skuadrave nga Pollogu, Shkëndijës, Renovës dhe Gostivarit, në Maqedoni gjithashtu ka veshur edhe fanellën e Korabit dhe Struga Trim Lum, ndërsa kishte pasur një aventurë të shkurtër edhe në Superligën shqiptare, duke luajtur me Partizanin e Tiranës. (infOSport.mk)