Edhe zyrtarisht është shtyrë ndeshja e Superkupës së Turqisë, midis dy skuadrave gjigande, Galatasaraj dhe Fenerbahçe, që duheshe të zhvillohej sonte me fillim në ora 20:45 në Rijad të Arabisë Saudite!
Një gjë e tillë ishte paralajmëruar edhe gjatë ditës, ndërsa tashmë vjen edhe konfirmimi.
Një orë para finales, futbollistët e të dyja skuadrave morrën lajmin se në fushë do të duhet të zbresin me fanella, që në vete bartin edhe imazhin e Kemal Ataturkut për nder të 100-vjetorit të themelimit të Turqisë, por mesa duket një vendim i tillë nuk ju ka pëlqyer aspak organizatorëve nga Arabia Saudite, të cilët nuk lejuan që ndeshja të zhvillohej.
Ky vendim i organizatorit hasi në një refuzim të të dyja skuadrave për të dalur dhe për të luajtur ndeshjen, ashtu që mbetën në hotelet e tyre.
“I gjithë problemi ka lindur pasi futbollistët e të dyja skuadrave kanë dashur të dalin në fushë të veshur me fanella me imazhin e Kemal Ataturkut për të festuar 100 vjetorin e Republikës, gjë që nuk u ka pëlqyer autoriteteve vendase. Sauditët e ndaluan daljen me fanella gjë për të cilën turqit u zemëruan“, shkruajnë mediat turke, që pohojnë se fanellat speciale me imazhin e Kemal Ataturkut do të mbanin edhe një frazë të tijën, që thotë “Paqe në shtëpi, paqe në botë”.
Gjithashtu, organizatorët e panë të diskutueshme këndimin e himnit kombëtar të Turqisë dhe jo të Arabisë Saudite, vendit mikpritës në këtë rast.